Një incident i armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet, ku nga të shtënat janë dëmtuar dy vetura të parkuara. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, në vendin e ngjarjes janë gjetur gjithsej 22 gëzhoja – 16 që dyshohet se i përkasin një arme automatike AK-47, ndërsa 6 të tjera të kalibrit 9×19 mm, të shkrepura nga një pistoletë. Të shtënat ndodhën në një lagje të banuar, duke shkaktuar panik te banorët lokalë.
Si pasojë, janë dëmtuar dy automjete të markave Mercedes dhe BMW, të cilat ishin të parkuara pranë vendit ku ndodhi incidenti. Pronarët e veturave pritet të japin deklarata në lidhje me dëmet materiale.
Njësitet e hetimeve dhe ato të forenzikës të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe sekuestruar provat materiale.
Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si:
-
“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”,
-
“Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe
-
“Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në zhvillim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende ndonjë të arrestuar lidhur me incidentin.