Dy persona janë arrestuar në fshatin Gjonaj të Prizrenit, pasi dyshohen për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë kanë reaguar pas një informate për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar. Gjatë ndërhyrjes, nga dy të dyshuarit, shtetas meshkuj të Kosovës, është sekuestruar një pistoletë me gas, 21 gëzhoja të armës me gas dhe shtatë gëzhoja të armës së zjarrit.
Po ashtu, gjatë kontrollit të një veture, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK-47 me 20 fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

