Situatë e tensionuar është shënuar sot para një hoteli në Prishtinë, ku ishte parashikuar të mbahej një konferencë për media nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Konferenca u anulua në mënyrë të papritur, duke shkaktuar reagime tek Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila ishte mbledhur për të protestuar ndaj pranisë së saj në Kosovë.
Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi për media se sipas informacioneve që ka marrë nga një epror i Policisë së Kosovës, ka mundësi që Trendafilova as të mos ketë qenë fare në ambientet e hotelit. “Trendafilova e ka anuluar takimin dhe nuk ka konferencë për shtyp,” tha Gucati.
Veteranët ishin mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, duke e konsideruar praninë e saj në vend si të papranueshme. Pas lajmit për anulimin e konferencës, ata filluan të shpërndahen nga zona përreth hotelit.
Vizita e Trendafilovës në Kosovë vjen në një periudhë të ndjeshme për raportet mes Dhomave të Specializuara dhe pjesëtarëve të ish-UÇK-së, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë punën dhe misionin e kësaj gjykate të vendosur në Hagë.