Sot në Kuvendin e Kosovës pritet të zhvillohet tentativa e 28-të për konstituimin e legjislaturës së re, në një proces që vazhdon të mbetet i bllokuar që prej zgjedhjeve të fundit. Seanca plenare do të nisë në orën 11:00, me një agjendë të përqendruar te zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit – pikërisht çështja që ka shkaktuar ngecjen e deritanishme.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e Kryeparlamentares, një emër që ka nxitur kundërshtime nga partitë tjera opozitare, të cilat e konsiderojnë atë si figurë përçarëse në skenën politike.
Për më tepër, asnjë nga subjektet politike nuk ka propozuar ende emra për komisionin zgjedhor, i cili është i domosdoshëm për të proceduar me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kjo situatë vazhdon të lërë vendin pa një trup funksional legjislativ dhe me shumë pikëpyetje për zhvillimet e ardhshme politike.