Ish-presidenti i Kosova, Hashim Thaçi, në një intervistë për median gjermane FAZ ka folur për të ardhmen e tij politike, procesin gjyqësor dhe përjetimet personale gjatë kohës së paraburgimit.
Duke u ndalur te mundësia e rikthimit në politikë, Thaçi u shpreh se nuk e sheh më veten në garë për poste, por jo të tërhequr plotësisht nga jeta publike.
“E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen”, deklaroi ai, duke shtuar se ndihet i përmbushur me kontributin e tij ndër vite.
Ai shprehu mirënjohje për qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen gjatë dy dekadave të angazhimit të tij politik.
Në intervistë, ish-presidenti foli edhe për dhimbjen personale pas vdekjes së babait të tij, duke theksuar se mungesa në ceremoninë mortore është një plagë që do ta mbajë gjatë gjithë jetës.
“Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim më ka lënduar thellë”, u shpreh Thaçi.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të ndjeshëm, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon dhe interesimi publik për rolin e tij në të ardhmen mbetet i lartë.
