Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, në një intervistë për Kanal 10, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke u fokusuar tek marrëdhëniet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Më duket se rivaliteti i Kurtit me kryeministrin e Shqipërisë po ndodh kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe mbi kurrizin e politikës shqiptare në vend. Kjo është tërësisht e panevojshme,” tha Thaçi, duke theksuar ndikimin e këtij konflikti mbi komunitetin shqiptar.
Ai shtoi se shqiptarët në Maqedoni nuk janë “të padijshëm politikisht” dhe nuk mund të manipulohen lehtë nga zhvillimet në Prishtinë dhe Tiranë.
“Nuk jemi ne të padijshëm politikisht që të na bëhen mashtrime të tilla. Takimi i Shqipërisë dhe Kosovës për të na ndihmuar është shumë i limituar, për mos të thënë minimal, për shkak se politika zyrtare, qeveritare dhe opozitare, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, është gjithmonë e kushtëzuar nga aleatët perëndimorë për stabilitet dhe qetësi,” theksoi Thaçi.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes dy qeverive fqinje janë përfolur shpesh për tensione politike, ndërsa komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut mbetet i shqetësuar për pasojat e mundshme të këtyre rivaliteteve.