Një nga bandat më të fuqishme kriminale shqiptare, e njohur si klani Çela–Çopja, është goditur rëndë nga autoritetet, duke shënuar fundin e një prej kartelëve më të frikshëm të drogës në kontinent. Sipas një raporti të gazetës britanike The Telegraph, grupi kontrabandoi kokainë me vlerë miliarda paund nga Amerika Latine drejt porteve të Europës dhe kishte aq shumë fitime sa bosët grindeshin nëse t’i fshihnin kartëmonedhat nën rrënjët e ullinjve apo t’i kthenin në shufra ari.
Karteli, i drejtuar nga Franc Çopja (33 vjeç) dhe Ervis Çela (41 vjeç), kishte ngritur një rrjet të sofistikuar që mbulonte gjithë zinxhirin e trafikut: nga laboratorët e Paraguajit, deri te shpërndarja në tregjet europiane dhe pastrimi i parave në Shqipëri. Me fitimet e gjigante, ata kishin investuar në prona luksoze, një resort turistik me pesë yje dhe një perandori tregtare.Hetimi ndërkombëtar nisi në vitin 2021, kur autoritetet depërtuan në aplikacionin e enkriptuar SkyECC, duke zbuluar planet e grupit për transportin e 28 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Hamburgut dhe Antwerpit. Vetëm një ngarkesë prej 16.4 tonësh kokainë, e sekuestruar në shkurt 2021, kishte vlerë tregu prej 3 miliardë paund – konfiskimi më i madh i kokainës në historinë e Europës.
Në qershor dhe gusht 2025, SPAK arrestoi Ervis Çelën bashkë me dy vëllezërit e tij dhe disa bashkëpunëtorë në operacione të befasishme në Shqipëri. Çopja, ndërkohë, ishte arrestuar në Belgjikë në dhjetor 2023 dhe po përballet me gjykim për vrasje pas ekstradimit nga Dubai.Sipas prokurorëve shqiptarë, organizata kishte kapacitetin të ndikonte drejtpërdrejt çmimin e kokainës në tregjet europiane, duke trafikuar sasi kolosale në periudha të shkurtra kohe. Një pjesë e lëndës narkotike besohet se ka përfunduar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku bandat shqiptare mbajnë një pjesë të madhe të tregut fitimprurës.Ndër asetet e goditura nga autoritetet është resorti luksoz “Ajman Park” në Shijak, vetëm 27 km nga Tirana, i cili përfshinte vila dhe një restorant luksoz. Sekuestrime të tilla janë të rralla në Shqipëri, ku shpesh origjina e kapitaleve të mëdha në turizëm e ndërtim mbetet e pahetuar.Çela, i cili kishte kaluar 11 vjet në arrati, u arrestua më 29 qershor 2025 në Qeparo. Ai tashmë duhet të vuajë një dënim prej 21 vjetësh për vrasje dhe krime të tjera, përveç akuzave të reja për trafik droge dhe pastrim parash.
Sipas The Telegraph, kjo është një ndër goditjet më të mëdha të autoriteteve ndaj krimit të organizuar shqiptar në vitet e fundit, duke shënuar rënien e një karteli që për vite me radhë kishte dominuar tregun europian të kokainës.