Kosova ka përmbyllur brenda dhjetë ditësh disa procese të rëndësishme institucionale, duke përfshirë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë së re, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026. Megjithatë, një tjetër sfidë institucionale mbetet përpara: zgjedhja e presidentit të vendit.
Megjithëse është përmendur mundësia e nisjes së konsultimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet partive politike për të arritur një marrëveshje për kandidatin për president, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, debati për këtë proces ende nuk ka filluar në mënyrë konkrete.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se klasa politike, si pozita ashtu edhe opozita, po e shtyn këtë çështje për momentet e fundit. Sipas tij, diskutimet ndërmjet partive do të duhej të nisnin sa më shpejt për të rritur transparencën dhe për të shmangur vonesat në zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ndërkohë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, analisti Vullnet Bugaqku ka thënë se thirrja e seancës për zgjedhjen e presidentit mund të ndodhë në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit, më së largu deri më 4 mars. Ai thekson se mbetet të shihet nëse procedura do të nisë dhe nëse procesi do të përfundojë brenda këtyre afateve, pasi gjithçka do të varet nga dinamika e zhvillimeve politike.
Sipas procedurave kushtetuese, për të kandiduar një emër për president kërkohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Në dy raundet e para të votimit nevojiten 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit. Nëse kandidati nuk arrin këtë shumicë në dy votimet e para, në raundin e tretë mjafton mbështetja e 61 deputetëve. Burimi: RTK

