Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare janë mbledhur sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët që prej pesë vitesh ndodhen në Hagë. Tubimi organizohet nën moton “Liria ka emër” dhe filloi në orën 17:00.
Sheshi është i mbushur me flamuj kuqezi dhe flamuj të UÇK-së, ndërsa në protestë nuk mungojnë veteranët e luftës, të cilët janë edhe organizatorët kryesorë të këtij tubimi.
Pjesëmarrës të njohur
Në protestë ka mbërritur edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u pa në krah të deputetëve socialistë. Tubimi do të përfshijë edhe fjalime nga ish-presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, pritet të marrin pjesë kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, dhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e protestës, qarkullimi në Bulevardin e Ri është bllokuar për dy orë, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, për të lehtësuar parkimin e mjeteve të protestuesve.
Polemika politike
Protesta e veteranëve ka shkaktuar edhe tensione politike mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilët nuk morën pjesë. Kurti akuzoi Ramën për udhëtimin me helikopter drejt Kosovës, me qëllim të ndikimit në votimin për ngritjen e Gjykatës Speciale, ndërsa Rama deklaroi se refuzoi të bashkohej në protestë për shkak të politizimit të saj.
Kërkesa e protestuesve
Veteranët dhe qytetarët kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në Hagë që nga viti 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Protesta e sotme shënon një nga manifestimet më të mëdha publike në qytetin e Tiranës për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit publik shqiptar.