Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi përmes rrjetit social Facebook se Tirana do të mirëpresë më 13–14 tetor Forumin e Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), një ngjarje që pritet të ketë rëndësi historike për rajonin.
“Mirëmëngjes 😊 dhe me lajmin e mirë që Tirana mirëpret më 13–14 tetor Forumin e Investimeve EU–WB6, një ngjarje historike që bashkon vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota, një tjetër hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajon. Ju uroj një ditë të mbarë🫶,” shkroi Rama në postimin e tij.
Forumi synon të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, investitorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Bashkimit Europian, duke u fokusuar në projekte zhvillimi dhe iniciativa ekonomike që mund të përshpejtojnë integrimin dhe rritjen e qëndrueshme në rajon.
Pjesëmarrës pritet të jenë liderë politikë, investitorë dhe ekspertë nga e gjithë bota, duke ofruar mundësi të reja për bashkëpunim dhe investime strategjike në Ballkanin Perëndimor.