Pushimet e vjeshtës, festat zyrtare dhe punimet në rrugë pritet të shkaktojnë rritje të ndjeshme të trafikut në autostradat gjermane gjatë fundjavës. Sipas Auto Club Europa (ACE) dhe ADAC, shoferët duhet të përgatiten për vonesa dhe bllokime të mundshme nga 31 tetori deri më 2 nëntor.
Kjo periudhë përkon me fillimin e pushimeve të vjeshtës në Bavari, ndërsa në disa lande si Baden-Württemberg, Berlin, Brandenburg, Hamburg dhe Schleswig-Holstein, ato përfundojnë. Për më tepër, Dita e Reformimit (31 tetor) dhe Dita e të Gjithë Shenjtorëve (1 nëntor) janë festa zyrtare që pritet të ndikojnë në qarkullim.
Sipas parashikimeve, trafiku më i rënduar do të regjistrohet të enjten pasdite dhe të premten në mbrëmje, ndërsa të shtunën pritet fluks i shtuar drejt zonave turistike dhe bregdetare. E diela do të shënojë kthimin e pushuesve, me vonesa të moderuara gjatë ditës.
Ndër zonat më të prekura pritet të jenë Berlini, Hamburgu, Frankfurti, Mynihu dhe Shtutgarti, si dhe rrugët drejt Detit të Veriut, Detit Baltik dhe Alpeve.
Punimet rrugore do të vazhdojnë në disa akse kryesore, përfshirë A8 (Stuttgart–München) dhe disa seksione të tjera që mund të çojnë në mbyllje të pjesshme apo ngadalësim të qarkullimit.
Në Austri dhe Zvicër, situata pritet të jetë e ngjashme, sidomos në rrugët e tranzitit dhe drejt destinacioneve turistike, si Brenner, Tauern dhe tuneli Gotthard. ADAC këshillon shoferët që të përdorin rrugë alternative kur vonesat kalojnë një orë.
Shoferët që kalojnë kufirin nga Austria në Gjermani duhet të kenë parasysh edhe kontrollet e përforcuara kufitare, ku pritjet mund të jenë më të gjata, sidomos në Suben (A3), Walserberg (A8) dhe Kiefersfelden (A93).
Në përfundim, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë durim dhe kujdes, si dhe të planifikojnë udhëtimin me kohë për të shmangur trafikun më të dendur të fundjavës.

