Tre fëmijë nga Ferizaj kanë bërë një veprim shembullor duke dorëzuar në polici një portofol të gjetur në rrugë, i cili përmbante dokumente personale dhe 614 euro. Rasti është raportuar më 18 nëntor, rreth orës 12:30, kur qytetari I. Tërziu paraqiti portofolin në stacionin policor të Ferizajt, pasi fëmijët R.T (12), A.T (11) dhe D.T (11) ia kishin dorëzuar atij.
Pas verifikimeve, policia identifikoi pronaren e portofolit, B.M., e cila u paraqit menjëherë në stacion dhe konfirmoi se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Asaj iu kthyen me procesverbal zyrtar.
Pronarja shprehu falënderimin e saj ndaj fëmijëve dhe familjes së tyre për ndershmërinë dhe gjestin e rrallë, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për profesionalizmin.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj i ka falënderuar publikisht tre fëmijët për veprimin human dhe edukativ, duke theksuar se ky është një shembull i fortë i vlerave morale dhe qytetare, që duhet të frymëzojë të gjithë komunitetin.

