Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet spanjolle më 22 shtator në Castelldefels, afër Barcelonës, pasi u kapën duke transportuar një sasi të madhe kokaine.
Sipas mediave spanjolle, operacioni u zhvillua nga efektivët e Mossos d’Esquadra dhe oficerët e Policisë Lokale të Castelldefels, të cilët kishin vëzhguar tre shqiptarët e moshës 20 deri në 46 vjeç. Ata u ndaluan në momentin kur po kalonin një valixhe nga një makinë në një furgon.
Gjatë kontrollit, brenda valixhes u gjetën 16 kilogramë kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 500 mijë eurosh. Po ashtu, tek të dyshuarit u sekuestruan edhe 7 mijë euro para të gatshme.
Tre shqiptarët u arrestuan menjëherë dhe u akuzuan për trafik droge. Pas paraqitjes në Gjykatën e Gavas më 24 shtator, ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit.