Zotim zgjedhor të 2021-ës dhe tekst të shkruar në programin e qeverisë 2021-2025, Albin Kurti i kishte aplikimin për anëtarësim në NATO.
Kishte premtuar gjithashtu anëtarësim në Kartën e Adriatikut dhe Partneritetin për Paqe.
Pesë vite më vonë, asnjëra nga këto nuk është realizuar.



Për më tepër, me pompozitet e fjalë të mëdha, ishte themeluar një”Grup Punues” për anëtarësim në NATO me vendim qeveritar.
Atë grup e drejtonte Donika Gërvalla si kryediplomate. Bënin pjesë Ministri i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe i Drejtësisë.
Kurrë nuk dihet të jetë mbledhur ai grup, as të ketë hartuar ndonjë dokument apo ndërmarrë ndonjë iniciativë.
Këtë fushatë zgjedhore Kurti ka dalë me zotimet e reduktuara, por edhe të ricikluara të fushatës së zgjedhjeve të 9 shkurtit, 2025.
Tash anëtarësimin drejt NATO-s e jep si udhë e ndjekshme përmes marrëveshjeve “SOFA” me shtete anëtare të NATO-s.
Se çka dhe si kanë të bëjnë marrëveshjet “SOFA” me anëtarësimin në NATO mbetet mister në vete.
“Do të zgjerojmë numrin e shteteve partnere me të cilët nënshkruajmë marrëveshje ‘SOFA’ duke na afruar drejt anëtarësimit të plotë në NATO,” tha Kurti.
“Do të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe edhe me shtetet mosnjohëse, veçanërisht ato që janë anëtare të NATO-s,” shtoi ai në shpalosjen e programit zgjedhor.

Këtë premtim ai e kishte edhe në shkurt të 2025-ës.
Marrëveshjet SOFA i kishte “zgjidhje” për anëtarësim, dhe jo bindjen e katër shteteve mosnjohëse.
“Dyfishimi i rrjeteve të Atasheve të Mbrojtjes dhe shtimi i shteteve partnere me të cilat nënshkruajmë marrëveshje SOFA janë hapat drejt anëtarësimit të plotë në NATO,” pati thënë Kurti para një viti.
Çfarë është një marrëveshje SOFA?
SOFA është një marrëveshje bilaterale mes një vendi nikoqir dhe një vendi të huaj.
Përcakton statusin ligjor të personelit ushtarak të huaj që operon në atë shtet.
Rregullon, mes tjerash, se ligjet e cilit vend zbatohen mbi trupat e huaja; si juridiksioni penal ose civil.
Shpeshherë i jep shtetit dërgues juridiksion ekskluziv mbi veprat penale të kryera gjatë detyrës, shkruan Nacionale.
SOFA-t mbrojnë gjithashtu personelin nga arrestimi dhe përndjekja ligjore në shtetin pritës.
Përjashtojnë zakonisht personelin ushtarak nga taksimi lokal, detyrimet e importit dhe kërkesat për viza.
Në pak fjalë, SOFA balancon sovranitetin e shtetit pritës me nevojat operacionale të ushtrisë së huaj.
Megjithatë, Misioni Paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, i gëzon tashmë këto imunitete.
Ato imunitete ata “i gëzojnë” nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, jo nga marrëveshje bilaterale.
SOFA me ShBA-në
Kosova ka marrëveshje SOFA me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2012.
U nënshkrua bilateralisht me firmën e ish-kryediplomatit Enver Hoxhaj.

Sipas dokumentit të Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së, juridiksioni penal mbi ushtarët amerikanë i takon Shteteve të Bashkuara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë e veçantë të kontrollit disiplinor nga autoritetet e Forcave të Armatosura të ShBA-së ndaj personelit amerikan.”
“Prandaj, autorizon Qeverinë e ShBA-së që të ushtrojë juridiksionin penal ndaj personelit të ShBA-së gjatë kohës sa janë në Republikën e Kosovës.”


Marrëveshja rregullon edhe lëvizjen e lirë të automjeteve ushtarake.
“Çfarëdo automjeti që operohet ekskluzivisht nga Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-së mund të hyjë, dalë dhe të lëvizë lirshëm brenda territorit të Kosovës.”

