Trekëndëshi i sigurisë, ai objekt i detyrueshëm që për dekada ka qenë pjesë e çdo bagazhi makine në Evropë, po bëhet pjesë e së kaluarës. Që nga 1 janari 2026, shumë vende të Bashkimit Evropian do ta zëvendësojnë atë me pajisjen moderne të sinjalizimit V16 – një dritë inteligjente që paralajmëron automatikisht shërbimet emergjente për vendndodhjen e saktë të automjetit.
Kjo risi, e cila tashmë është përqafuar nga shtete si Spanja, Franca dhe Gjermania, synon të rrisë sigurinë në trafik dhe të eliminojë një nga momentet më të rrezikshme për shoferët – daljen nga makina për të vendosur trekëndëshin e paralajmërimit. Vetëm në Spanjë, midis viteve 2019 dhe 2022, 42 persona humbën jetën duke tentuar ta vendosnin atë në rrugë pas një defekti apo aksidenti.
Pajisja V16 është një sinjalizues i vogël ndriçues, që vendoset në çatinë e makinës dhe aktivizohet pa pasur nevojë që shoferi të dalë jashtë.
Pas aktivizimit:
-
Lëshon dritë të fortë rrotulluese, të dukshme nga disa qindra metra larg.
-
Dërgon automatikisht koordinatat GPS të automjetit tek shërbimet emergjente.
-
Lejon që autoritetet të monitorojnë situatën në kohë reale.
Kjo e bën pajisjen shumë më të sigurt dhe efikase sesa trekëndëshi tradicional.
Çfarë duhet të dini për versionet e lejuara
Në treg tashmë qarkullojnë disa versione të dritës V16, por jo të gjitha janë të miratuara për përdorim. Pajisjet e certifikuara duhet të përmbushin standardet teknike evropiane, të kenë aftësi transmetimi të dhënash në sistemin qendror dhe të jenë të certifikuara zyrtarisht.
Blerja e një modeli të paautorizuar mund të nënkuptojë se nuk do të jetë e vlefshme ligjërisht kur rregullorja të hyjë në fuqi.
Vendosja e sinjalizuesit V16 shënon një hap të madh drejt modernizimit të sigurisë rrugore në Evropë. Me këtë teknologji, shoferët nuk do të rrezikojnë jetën duke dalë në rrugë, ndërsa autoritetet do të mund të reagojnë më shpejt dhe më saktë.
Në kohën kur Evropa po kalon në epokën e sinjalizimit inteligjent, Serbia duket ende e mbërthyer në epokën e trekëndëshit klasik, duke pritur që dikush ta ndezë dritën e parë të debatit për këtë ndryshim të madh.

