“LDK është unike…respekton vendimin e shumicës (së vet).”
Jozyrtarisht konsiderohet për punë-e-kryer që Vjosa Osmani “është kthyer” në Lidhjen Demokratike të Kosovës, partisë nga e cila ishte shkëputur, dhe bashkë me vete, kishte shkëputur edhe trung të madh votash për t’ia kaluar Vetëvendosjes.
Kthimi i Osmanit nuk mohohet as nga krerë të LDK-së, por ende s’ka saktësim se mbi çfarë modaliteti: a me listë të veten si të bashkëngjitur me ndjekës të personit politik të saj, apo thjesht do të ri-ingranohet në LDK?
Nënkryetarja e këtij subjekti, Doarsa Kica-Xhelili, ditë më parë në “Debat Plus” konfirmoi që bisedimet veçse kanë kaluar në rrafshe domethënëse por “po e mbylli me kaq,” tha ajo, duke e lënë që ende “nuk ka asgjë zyrtare.”
Lumir Abdixhiku, drejtuesi i kësaj partie, dje e konfirmoi poashtu që “do të punoj” deri, siç tha ai, “në momentin e fundit”, kur u pyet nga gazetarë për rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK dhe se deri ku ka avancuar ky rikthim.
“Përafrimi do të ishte lajmi i mirë, edhe për Kosovën edhe për LDK-në, dhe është qëllim i imi. Dhe do të punoj, për këtë qëllim deri në ditën e fundit. Natyrisht që takohemi me Vjosën. Jemi miq, dhe njihemi mirë.
Nuk kemi kushte, bashkimi nuk kërkon kushte, por kërkon afrim, koordinim të mbarë, shiqim drejt të ardhmes. LDK është unike (për kthimin e Vjosa Osmanit. Jemi demokratikë, dhe respektojmë vendimin e shumicës,” tha Abdixhiku për gazetarë.
Kica-Xhelili ndonëse nuk e jepte për të mirëqenë diskutimin për punë të kryer për kthimin e Osmanit në LDK, u shpreh pozitivisht për kthimin e saj, në dritën e asaj që LDK e jep “për ringritje…dhe ribashkim të së djathtës.”
“Racionalisht mendoj që është e domosdoshme që LDK-ja të ringritët duke konsideruar edhe kthimin eventual të të gjitha figurave të LDK-së, të cilat kanë vizon të përbashkët ende me ne. Për fshirë këdo… natyrisht edhe Vjosa Osmanin,” tha ajo.
Por, shumë më e rezervuar dhe dyshuese ishte shprehur Hykmete Bajrami, zyrtarja e lartë e LDK-së, Hykmete Bajrami. Për këto pesë vite, Osmani, rikujtonte Bajrami, kishte qenë pjesë e pushtetit të Vetëvendosjes.
“Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e znj. Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë, për shkak të krejt gjanave që i shpjegum deri më tani,” pati thënë ajo ditë më parë në “Pressing”.
“Në atë kohë, elektorati jonë, besimtarët tanë, janë hidhëru shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi s’ju ka kalu edhe sot. Unë besoj që z. Abdixhiku edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet me e bë një analizë. Me e pa se si do të jetë pritja e znj. Osmani. Të pyesin, të bëjnë matje, të dalin në terren dhe të shohin se çfarë net-efekti ka me pas sjellja e saj në LDK,” shtonte ajo.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, para një muaji në një intervistë për Nacionalen pati kritikuar Vjosa Osmanin dhe relacionin e saj me pushtetin e Albin Kurtit.
Për Hotin s’donte interpretim ndryshe që shefja e shtetit për 5 vite i qëndroi besnike shefit të qeverisë, duke mos e kundërshtuar për asgjë.
Hoti ka thënë se vet Osmani e ka konfirmuar se ka qenë në agjendën politike të Kurtit.
“Unë e njoh politikisht se si vepron, unë shpresoj që me deklarimet e fundit e kanë parë të gjithë qytetarët modelin politik që ajo i ka ofruar vendit. Në intervistë, ajo tha që i ka qëndruar besnike në gjithçka që ka kërkuar Kurti, ia ka dhënë edhe datën e zgjedhjeve.
Dhe ky në fund nuk e ka propozua. Është shpërfaqje e një karakteri politik që nuk i duhet vendit. Ajo ka vërtetuar se ka qenë në shkelje kushtetuese gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar në atë zyrë. Sepse Kushtetuta kërkon mbikëqyrje të rendit kushtetuese”, ka thënë Hoti.
Ai bënte me dije se Osmani i ka konfirmuar dyshimet e opozitës.
“Me këto veprime kjo e ka bërë të qartë që ka qenë në shërbim të agjendës politike të Kurtit. Në këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës dhe tani ajo e vërtetoi me gojë të vet këtë çështje”, është shprehur Osmani.

