Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai egjiptian Abdel Fattah El-Sissi bashkëkryesuan të hënën Samitin e Paqes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, ku mbi 20 udhëheqës botërorë u mblodhën për të diskutuar të ardhmen e Gazës dhe zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
Në fjalimin e tij para delegacioneve ndërkombëtare, El-Sissi theksoi se propozimi i presidentit amerikan Donald Trump është “shansi i fundit për paqe të qëndrueshme në rajon”. Ai shtoi se Egjipti do të vazhdojë të mbetet faktor stabiliteti dhe ndërmjetësimi në Lindjen e Mesme.
Në samit morën pjesë personalitete të nivelit të lartë si Mbret Abdullahu II i Jordanisë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, Presidenti francez Emmanuel Macron, dhe Kryeministri britanik. Ish-kryeministri britanik Tony Blair ishte gjithashtu i pranishëm dhe pritet të përfshihet në një “Bord Paqeje” për mbikëqyrjen e fazës kalimtare të qeverisjes në Gaza.
Trump e quajti takimin “mbledhjen më të madhe të vendeve për nga pasuria dhe ndikimi”, duke e cilësuar si “një mundësi historike për të lënë pas armiqësitë dhe urrejtjet e vjetra”. Ai falënderoi Katarin, Turqinë dhe Egjiptin për rolin e tyre në ndërmjetësimin e armëpushimit dhe njoftoi nënshkrimin e dokumentit që formalizon fazën e parë të marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit.
Gjatë samitit, El-Sissi përsëriti rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete, një qëndrim që vazhdon të kundërshtohet nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Plani i Trumpit, megjithatë, lë të hapur mundësinë për një shtet palestinez pas një periudhe tranzicioni dhe reformash nga Autoriteti Palestinez.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi mbështetjen e BE-së për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” që bazohet në zgjidhjen me dy shtete dhe në angazhimin e përbashkët për rindërtimin e Gazës.
Në fund të samitit, Presidenti egjiptian El-Sissi i dorëzoi Donald Trumpit Urdhrin e Nilit, nderin më të lartë civil të Egjiptit, si shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij në ndërmjetësimin e paqes.