Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë sot një bisedë telefonike vendimtare, e cila do të fokusohet në të ardhmen e aplikacionit TikTok në SHBA dhe në marrëdhëniet tregtare mes dy fuqive botërore.
“Do të flas me Presidentin Xi, siç e dini, të premten, në lidhje me TikTok dhe gjithashtu tregtinë. Dhe jemi shumë afër marrëveshjeve për të gjitha këto,” deklaroi Trump të enjten.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, konfirmoi se palët tashmë kanë arritur një marrëveshje kornizë mbi pronësinë e TikTok, ndërsa finalizimi i saj i është lënë në dorë dy liderëve. Megjithatë, Ambasada e Kinës në Uashington nuk e konfirmoi zyrtarisht telefonatën, por zëdhënësi Liu Pengyu theksoi rëndësinë e diplomacisë së nivelit të lartë në drejtimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Trump ka paralajmëruar se pa një zgjidhje, TikTok mund të ndalohet në SHBA nëse kompania mëmë, ByteDance, nuk heq dorë nga aksionet kontrolluese. Katër raunde bisedimesh mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe kinezë janë zhvilluar nga maji deri në shtator, por ende mbeten çështje të hapura, përfshirë kufizimet mbi eksportet dhe çështjet e sigurisë së të dhënave.
“TikTok ka një vlerë të jashtëzakonshme dhe SHBA-të e kanë këtë vlerë në dorë,” ka thënë Trump, duke nënvizuar shqetësimet amerikane mbi privatësinë dhe rregulloret kineze që detyrojnë kompanitë vendore të ndajnë të dhëna me autoritetet.
Nga ana tjetër, Pekini ka bërë të ditur se është arritur një konsensus mbi përdorimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, përfshirë algoritmin e TikTok, si dhe mbi mënyrën e menaxhimit të të dhënave të përdoruesve në SHBA.
Kjo do të jetë telefonata e dytë midis Trump dhe Xi që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa analistët e shohin si një provë të rëndësishme nëse dy liderët mund të shmangin një përplasje të re tregtare dhe të vendosin një bazë më të qëndrueshme për marrëdhëniet SHBA-Kinë.