Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar të dielën guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguarin e tij të posaçëm për Groenlandën, një vendim që ka shkaktuar reagime të forta politike dhe diplomatike nga Danimarka dhe vetë Groenlanda.
Trump ka shprehur vazhdimisht interesin që Groenlanda, territor vetëqeverisës nën sovranitetin danez, të bëhet pjesë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e justifikuar këtë me rëndësinë strategjike të ishullit në Arktik dhe pasuritë e tij minerale. Emërimi i Landryt, i cili e mbështet hapur këtë ide, është parë nga Kopenhaga dhe Nuuk si një provokim i ri.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen ishin të prerë:
“Nuk mund të aneksosh një vend tjetër. As me argumente të sigurisë ndërkombëtare. Groenlanda u përket groenlandezëve dhe SHBA-të nuk do ta pushtojnë Groenlandën.”
Trump: Groenlanda është kyçe për sigurinë globale
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi se Jeff Landry “e kupton sa thelbësore është Groenlanda për sigurinë kombëtare të SHBA-së” dhe se ai do të avancojë interesat amerikane dhe të aleatëve. Nga ana e tij, Landry reagoi në X duke falënderuar presidentin dhe duke e quajtur detyrën “një nder”, duke theksuar se pozicioni i ri është vullnetar dhe nuk ndikon në rolin e tij si guvernator.
Presion shtesë ndaj Danimarkës
Tensionet u shtuan edhe më tej kur administrata Trump pezulloi kontratat e qirasë për pesë projekte të mëdha të energjisë së erës në bregun lindor të SHBA-së, përfshirë dy projekte të kompanisë Ørsted, e kontrolluar nga shteti danez. Ky veprim u interpretua në Kopenhagë si presion politik i drejtpërdrejtë.
Pse Groenlanda është kaq e rëndësishme?
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, ka të drejtë ligjore për pavarësi që nga marrëveshja e vitit 2009, por mbetet ekonomikisht e varur nga peshkimi dhe subvencionet daneze. Pozicioni i saj strategjik midis Evropës dhe Amerikës së Veriut e bën atë kyçe për mbrojtjen raketore amerikane, ndërsa rezervat minerale e kanë rritur interesin e Uashingtonit për të ulur varësinë nga Kina.
Kryeministri groenlandez Nielsen reagoi shkurt në Facebook:
“Kjo mund të tingëllojë e madhe, por nuk ndryshon asgjë. Ne vendosim vetë për të ardhmen tonë.”
Përshkallëzim diplomatik
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen njoftoi se do të thërrasë ambasadorin amerikan në Danimarkë, Kenneth Howery, duke e cilësuar emërimin e të dërguarit të posaçëm si “plotësisht të papranueshëm”.
Sipas profesorit të Universitetit të Kopenhagenit, Mikkel Vedby Rasmussen, ky veprim tregon se përpjekjet e Danimarkës për të investuar në mbrojtjen e Arktikut dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në “nuk kanë pasur asnjë efekt”.
Emërimi i Jeff Landryt pritet të mbajë të ndezura tensionet mes Uashingtonit, Kopenhagenit dhe Groenlandës, duke e kthyer sërish Arktikun në një arenë të hapur përplasjeje gjeopolitike.
