Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se është ftuar personalisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare që do të merret me administrimin dhe rindërtimin e Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të këtij bordi, duke e cilësuar ftesën si një nder të jashtëzakonshëm për vendin dhe një dëshmi të qartë të rolit të ri ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar vitet e fundit.
“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë. Ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar vendin tonë në një bord ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej tij është një vlerësim i madh për punën që kemi bërë dhe për nivelin ku e kemi ngritur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkruan Rama.
Kush përbën Bordin e Paqes
Sipas informacioneve zyrtare, Bordi i Paqes për Gazën kryesohet nga vetë Presidenti Trump dhe përfshin figura të rëndësishme ndërkombëtare, si:
-
Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio
-
Ish-kryeministrin britanik, Tony Blair
-
Të dërguarin special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff
-
Si dhe përfaqësues të lartë nga fusha e diplomacisë, sigurisë dhe financave ndërkombëtare.
Struktura e bordit parashikon dy nivele drejtimi:
-
Bordin Ekzekutiv Themelues, me fokus në diplomaci dhe investime strategjike;
-
Bordin Ekzekutiv të Gazës, i cili do të mbikëqyrë punën në terren dhe administrimin e përkohshëm përmes Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG).
Mesazh politik dhe simbolik
Ftesa e Trump për Ramën shihet edhe si një mesazh politik i drejtpërdrejtë, duke rrëzuar pretendimet e opozitës shqiptare se marrëdhëniet e kryeministrit me administratën republikane amerikane janë të tensionuara apo të ndërprera. Përkundrazi, përfshirja e Shqipërisë në një strukturë kaq të lartë ndërkombëtare e pozicionon vendin në një rol aktiv në çështje globale të sigurisë dhe paqes.
Bordi i Paqes pritet të ketë një rol kyç në fazën e pasluftës në Gaza, në koordinim me partnerë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare, ndërsa pjesëmarrja e Shqipërisë konsiderohet një arritje e rëndësishme diplomatike për Tiranën zyrtare.

