Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar këtë të diel një letër zyrtare të marrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në të cilën ai e fton Shqipërinë të bëhet Shtet Anëtar Themelues i Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare që synon administrimin tranzitor dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në Gaza.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama e cilësoi ftesën si një nder të jashtëzakonshëm dhe shprehu krenarinë për rolin që Shqipëria po merr në skenën globale.
“Jam shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë në një përpjekje historike për paqen botërore. Nuk mund të jem më krenar se kaq për vendin tim dhe për dinjitetin e shqiptarëve,” shkruan Rama.
Bordi i Paqes, në zemër të planit amerikan për Gazën
Në letrën zyrtare, Presidenti Trump sqaron se Bordi i Paqes është pjesë thelbësore e Planit Gjithëpërfshirës me 20 pika, të shpallur më 29 shtator 2025 për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Ky plan, sipas Trump, është mbështetur nga udhëheqës botërorë, përfshirë krerë të Botës Arabe, Izraelit dhe Evropës, si dhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përmes Rezolutës 2803.
Trump e përshkruan Bordin e Paqes si “organizatën më mbresëlënëse dhe më me ndikim të krijuar ndonjëherë”, e cila do të funksionojë si administratë qeverisëse tranzitore për Gazën, me synim ndërtimin e një paqeje të përhershme dhe sigurimin e mirëqenies për brezat e ardhshëm.
Shqipëria në tryezën e liderëve botërorë
Sipas letrës, Shqipëria ftohet të jetë pjesë e këtij bordi në cilësinë e anëtares themeluese, me të drejtë të caktojë përfaqësuesin e saj zyrtar në takimet dhe vendimmarrjet e ardhshme. Dokumentet përkatëse, përfshirë statutin e Bordit të Paqes, i janë përcjellë Kryeministrit Rama për nënshkrim dhe ratifikim.
Trump shpreh gatishmërinë për një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë, duke e lidhur këtë angazhim me vizionin e tij për paqen botërore, prosperitetin dhe stabilitetin global.
Publikimi i kësaj letre shënon një zhvillim të rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, e cila për herë të parë ftohet të marrë pjesë në një strukturë të tillë globale me rol drejtues në një nga çështjet më të ndjeshme të politikës ndërkombëtare.

