Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se i kërkoi kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të pranonte planin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në një intervistë për Channel 12, Trump tha se gjatë një telefonate me Netanyahun, e kishte nxitur atë që të përfitojë nga momenti politik.
“Bibi, ky është shansi yt për të fituar,” tha Trump, duke shtuar se Netanyahu fillimisht kishte pasur rezerva, por në fund kishte pranuar.
Sipas raportimeve të Axios, biseda telefonike mes Trump dhe Netanyahut u zhvillua të premten, pak para se Trump të bënte publikisht thirrje për ndalimin e bombardimeve në Gaza. “Me mua, duhet të biesh dakord,” tha Trump me një ton të prerë, duke nënvizuar vendosmërinë e tij për të çuar përpara planin e paqes.
Trump konfirmoi se Shtetet e Bashkuara janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve. “Të gjitha vendet e mbështesin planin,” deklaroi ai, duke e përshkruar atë si “një moment vendimtar për stabilitetin në Lindjen e Mesme”.
Pas ndërhyrjes së Trump, kryeministri Netanyahu urdhëroi pezullimin e ofensivës në qytetin e Gazës dhe ndalimin e përkohshëm të sulmeve ajrore, në kuadër të fazës së parë të planit 20-pikësh të propozuar nga SHBA.
Ndërkohë, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i Trump, janë nisur drejt Egjiptit për të finalizuar detajet teknike të marrëveshjes për paqe dhe lirimin e pengjeve.
Në intervistë, Trump iu referua edhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për të cilin tha:
“Erdogani është i ashpër, por ai është miku im – dhe ka qenë i shkëlqyer për të shtyrë Hamasin të ecë përpara.”
Në përmbyllje, ish-presidenti amerikan theksoi se lufta në Gaza ka izoluar ndërkombëtarisht Izraelin, ndërsa ai synon ta rikthejë mbështetjen globale për të:
“Bibi e teproi dhe Izraeli humbi mbështetjen e botës. Tani unë do ta rikthej,” përfundoi Trump.