Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se India do të ndalojë menjëherë blerjen e naftës ruse dhe do të rrisë importet e energjisë nga Shtetet e Bashkuara, pas një bisede direkte me kryeministrin indian Narendra Modi.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth, Trump bëri të ditur se marrëveshja mes dy vendeve hyn në fuqi menjëherë dhe përfshin edhe uljen e tarifave doganore amerikane për mallrat indiane nga 25% në 18%.
“Ishte një nder të flisja me Kryeministrin Modi. Ai ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të blejë shumë më tepër energji nga Shtetet e Bashkuara dhe potencialisht nga Venezuela. Ky hap do të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë”, shkroi Trump.
Sipas tij, në shenjë respekti dhe miqësie ndaj Modit, SHBA-të kanë pranuar një marrëveshje tregtare të re me Indinë, e cila parasheh tarifa doganore reciproke të reduktuara për produktet indiane.
Trump theksoi gjithashtu se India do të ulë në zero tarifat doganore për mallrat amerikane dhe do të rrisë ndjeshëm blerjet e produkteve nga SHBA, në një vlerë që tejkalon 500 miliardë dollarë. Këto përfshijnë energjinë, teknologjinë, bujqësinë, qymyrin dhe produkte të tjera strategjike.
“Ata do të heqin tarifat dhe barrierat jo-tarifore kundër SHBA-ve në zero. Kryeministri Modi u zotua të ‘blejë amerikan’, në nivele shumë më të larta se më parë. Marrëdhënia jonë me Indinë do të jetë edhe më e fortë në të ardhmen”, përfundoi Trump.
Ky zhvillim vjen disa muaj pasi Trump kishte ushtruar presion ndaj Indisë për të ulur varësinë nga nafta e lirë ruse. India ka qenë një nga përfitueset kryesore të çmimeve të ulëta të naftës ruse, ndërkohë që shumica e vendeve perëndimore kanë tentuar të izolojnë Moskën pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

