Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj një serie sulmesh vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, duke paralajmëruar sanksione të reja kundër Moskës dhe duke shprehur habi të thellë për sjelljen e Vladimir Putinit.
Duke folur para gazetarëve në një aeroport në New Jersey, Trump u shpreh i shqetësuar për eskalimin e dhunës në Ukrainë pas një vale sulmesh me dronë dhe raketa që lanë të paktën 12 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur në Kiev dhe qytete të tjera.
“Nuk jam i kënaqur me Putinin. Nuk e di se çfarë nuk shkon me të. Ai po vret shumë njerëz. Nuk jam i lumtur për këtë,” deklaroi Trump para nisjes për në Uashington DC.
Ai shtoi se është i gatshëm të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë në përgjigje të situatës në rritje të dhunës. “Ai po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen aspak,” u shpreh Trump.
Në një postim të mëvonshëm në platformën e tij Truth Social, Trump shtoi se ndonëse dikur kishte një marrëdhënie të mirë me presidentin rus, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm:
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur fare!”
Trump nuk kurseu as presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin e kritikoi për mënyrën se si po e trajton komunikimin publik gjatë krizës.
“Nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në atë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme. Nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalet,” u shpreh ai.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet e fundit ishin ndër më të rëndat që nga fillimi i luftës, me 367 raketa dhe dronë të lëshuar nga forcat ruse brenda natës deri të dielën.
Kjo përshkallëzim ndodh pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të Trump për ndërmjetësim të mundshëm në një marrëveshje paqeje mes palëve. Mësohet se javën e kaluar ai ka zhvilluar një telefonatë dyorëshe me presidentin rus Putin.