Në takimin e zhvilluar të premten në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Donald Trump-it mbështetje ushtarake dhe furnizim me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, por u përball me një president amerikan të përqendruar më shumë në arritjen e paqes sesa në përmirësimin e arsenaleve.
Ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë e dërgimit të raketave, Trump u shpreh skeptik për këtë opsion, duke theksuar se po përgatitet për një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Hungari javët e ardhshme.
Pas një bisede dyorëshe me Zelenskyn, Trump bëri thirrje publike për ndalim të menjëhershëm të luftës:
“Ndaloni në vijën e betejës dhe shkoni te familjet tuaja. Ndaloni vrasjet. Ia thashë këtë Presidentit Zelensky dhe Presidentit Putin,” tha Trump gjatë udhëtimit për në West Palm Beach, Florida.
Zelensky: “Ne duam paqe, por Putini nuk e do”
Në një moment të sinqertë gjatë bisedimeve, Zelensky deklaroi se Ukraina ka mijëra dronë gati për ofensivë, por mungesa e raketave amerikane po e pengon mbrojtjen.
“Ne nuk kemi Tomahawk, prandaj na duhen Tomahawk,” tha ai.
Trump u përgjigj:
“Do të preferonim që ata të mos kishin nevojë për Tomahawk. Duam t’i mbajmë për vete, për mbrojtjen e vendit tonë.”
Pas takimit, Zelensky e përshkroi takimin si “produktive”, por pranoi se SHBA-të nuk janë të gatshme për përshkallëzim dhe se ai është “realist” për shanset e marrjes së armëve të reja.
Trump e sheh veten si ndërmjetës – frikë në Evropë për një marrëveshje në favor të Rusisë
Sipas raportimeve, Trump po pozicionohet si ndërmjetës midis Rusisë dhe Ukrainës, një qasje që ka shkaktuar frustrim te Kievi dhe aleatët evropianë.
Zelensky tha se po mbështetet te Trump për të ushtruar presion mbi Putinin që të “ndalojë luftën”.
Kur u pyet nga gazetarët nëse frikësohej se Putin po e “luante për kohë”, Trump u përgjigj me ironi:
“Jam luajtur gjithë jetën nga më të mirët dhe gjithmonë kam dalë mirë.”
Eksperti amerikan Michael Carpenter, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, komentoi se takimi nuk përmbushi pritjet e Ukrainës, duke shtuar se “nuk ka prirje për t’i imponuar kosto Rusisë”.
Nga përshëndetje miqësore te frika për paqen “sipas Rusisë”
Gjatë konferencës për shtyp, Trump lavdëroi pamjen e Zelenskyt, duke e quajtur “shumë elegant me xhaketën e errët” — një detaj që kontrastoi me tonin e ftohtë të bisedës për armët.
Në fund, Trump përsëriti se dëshiron të fitojë Çmimin Nobel për Paqe, duke e paraqitur veten si liderin që mund t’i japë fund luftës.
Megjithatë, lufta në Ukrainë është intensifikuar. Rusia ka bërë fitime të reja territoriale gjatë vitit 2025, me rreth 5,000 kilometra katrorë tokë të pushtuar, ndërsa ofensiva ruse vazhdon.
Komandanti i përgjithshëm ukrainas Oleksandr Syrskyi tha të enjten se ofensiva ruse “ka dështuar”, por Kievi ende përballet me mungesë armësh dhe aleatë më të kujdesshëm.