Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se është arritur një marrëveshje paraprake me Iranin, e përbërë nga 15 pika, ku një ndër elementët kryesorë është zotimi i Teheranit për të mos zhvilluar armë bërthamore.
Duke folur për gazetarët, Trump u shpreh optimist për ecurinë e negociatave, duke theksuar se bisedimet janë iniciuar nga pala iraniane dhe se mund të çojnë në përfundimin e konfliktit aktual, megjithëse ai pranoi se ende nuk ka garanci përfundimtare.
Presidenti amerikan bëri të ditur se në procesin negociues janë përfshirë edhe të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ndërsa paralajmëroi se brenda ditëve të ardhshme priten kontakte të reja dhe një takim i mundshëm ballë për ballë.
Megjithatë, Trump ngriti pikëpyetje serioze mbi situatën në udhëheqjen iraniane, duke deklaruar se nuk është e qartë nëse lideri i ri suprem, Mojtaba Khamenei, është ende gjallë.
“Ne nuk kemi dëgjuar prej tij. Nuk e dimë nëse është gjallë”, u shpreh ai, duke shtuar se SHBA-të po negociojnë me një figurë të lartë brenda strukturave iraniane, por pa specifikuar identitetin.
Sa i përket zhvillimeve në Ngushtica e Hormuzit, Trump deklaroi se pret që rruga strategjike detare të rihapet së shpejti, duke sugjeruar madje mundësinë e një kontrolli të përbashkët mes SHBA-së dhe Iranit nëse negociatat avancojnë.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në rast dështimi të bisedimeve, operacionet ushtarake do të vazhdojnë, duke lënë të kuptohet për një presion të vazhdueshëm mbi Teheranin.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kritik për rajonin, ku përpjekjet diplomatike dhe tensionet ushtarake po zhvillohen paralelisht, ndërsa paqartësitë mbi lidershipin në Iran shtojnë edhe më shumë pasigurinë në skenën ndërkombëtare.

