Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndërmarrë një hap të fortë strategjik në garën globale për teknologjinë, duke formuar një këshill të ri për Inteligjencën Artificiale me emrat më të fuqishëm të industrisë.
Në përbërje të Këshillit Këshillimor të Presidentit për Shkencën dhe Teknologjinë (PCAST) janë përfshirë figura kyçe si Mark Zuckerberg, Larry Ellison, Jensen Huang, Lisa Su dhe Sergey Brin.
Ky këshill prej 13 anëtarësh pritet të ketë një rol vendimtar në hartimin e politikave për Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimet shkencore që lidhen me të, në një kohë kur kjo fushë është kthyer në arenë kryesore të konkurrencës globale.
Administrata Trump e ka vendosur dominimin në AI si prioritet strategjik, sidomos në raport me rivalitetin me Kinën. Që në fillim të mandatit, presidenti ka kërkuar uljen e barrierave rregullatore dhe përshpejtimin e inovacionit në sektorin privat.
Këshilli do të bashkëdrejtohet nga David Sacks dhe Michael Kratsios, ndërsa pritet që në të ardhmen të zgjerohet deri në 24 anëtarë, duke përfshirë edhe figura të tjera nga industria dhe akademia.
Ky zhvillim sinjalizon një afrim të fortë mes qeverisë amerikane dhe gjigantëve të teknologjisë – një aleancë që synon të sigurojë avantazhin global në një epokë ku Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht inovacion, por fuqi gjeopolitike.

