Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten mbrëma se po i jep fund të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë, pasi një reklamë televizive nga qeveria e Ontarios – e cila kundërshtonte tarifat amerikane – “gabonte faktet” dhe përbënte, sipas tij, “sjellje të shëmtuar” që synonte të ndikonte në gjykatat amerikane.
Postimi i Trump në rrjetet e tij sociale erdhi pas deklaratës së kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili kishte thënë se Kanadaja synon të dyfishojë eksportet e saj në tregjet jashtë SHBA-së, si reagim ndaj “kërcënimit” që përbëjnë tarifat e vendosura nga Trump.
Në reagimin e tij, Trump shkroi:
“Fondacioni Ronald Reagan sapo ka njoftuar se Kanadaja ka përdorur në mënyrë mashtruese një reklamë të RREMË, ku shfaqet Ronald Reagan duke folur negativisht për tarifat.”
Sipas tij, reklama prej 75,000 dollarësh kishte si qëllim “ndërhyrjen në vendimet e Gjykatës Supreme të SHBA-së dhe gjykatave të tjera”. Zyra e Carney nuk ka dhënë ende një koment zyrtar, ndërsa kryeministri pritet të udhëtojë të premten në Azi për një samit rajonal. Trump, ndërkohë, do të udhëtojë po atë ditë drejt kontinentit aziatik.
Më herët gjatë së enjtes, Fondacioni dhe Instituti Presidencial Ronald Reagan publikuan një deklaratë në platformën X, duke sqaruar se reklama e qeverisë së Ontarios “keqinterpreton” fjalimin e Reaganit mbi tregtinë e lirë dhe të drejtë, mbajtur më 25 prill 1987.
Fondacioni shtoi se Ontario nuk kishte marrë leje për të përdorur dhe modifikuar materialin, dhe se po “shqyrton opsionet ligjore” në lidhje me këtë çështje. Ai gjithashtu i ftoi qytetarët të shikojnë versionin origjinal të fjalimit të Reaganit për të verifikuar vërtetësinë.
Thirrja e Trump për një ndërprerje të menjëhershme të negociatave pritet të përshkallëzojë tensionet tregtare që tashmë kanë ekzistuar për muaj me radhë midis dy vendeve fqinje.
Carney dhe Trump ishin takuar më herët këtë muaj në një përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të rishikuar Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) – marrëveshje e cila ishte negociuar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë, por që kohët e fundit ka pësuar përkeqësime të dukshme.
Rreth 75% e eksporteve kanadeze drejtohen drejt SHBA-së, me një vlerë ditore prej 3.6 miliardë dollarësh kanadezë (rreth 2.7 miliardë dollarë amerikanë) që kalojnë kufirin. Kjo e bën Kanadanë veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo lëvizjeje tarifore nga Uashingtoni.
Trump kishte komentuar edhe më herët gjatë javës për reklamën kanadeze, duke thënë me ironi:
“E pashë reklamën nga Kanadaja. Po të isha në vend të tyre, ndoshta do ta bëja të njëjtën gjë.”
Ndërkohë, Doug Ford, kryeministri i Ontarios, kishte shpërndarë një link të reklamës me mesazhin:
“Është zyrtare — fushata e re reklamuese e Ontarios në SHBA ka nisur. Nuk do të ndalemi kurrë së luftuari kundër tarifave amerikane ndaj Kanadasë. Prosperiteti vjen nga bashkëpunimi.”
Por kjo nuk është hera e parë që Ford dhe Trump përplasen mbi çështjet tregtare — më parë, tensionet për energjinë elektrike dhe çelikun kishin çuar në dyfishimin e tarifave amerikane, përpara se palët të arrinin një qetësim të përkohshëm.

