Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dërguar një mesazh të fortë për aleatët ndërkombëtarë: SHBA nuk do të mbajë barrën kryesore për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit.
Ai deklaroi se Amerika ka furnizime të mjaftueshme me energji dhe nuk varet nga nafta e Lindjes së Mesme, duke u bërë thirrje vendeve që varen nga ky korridor jetik të marrin vetë përgjegjësi për mbrojtjen e tij.
“Ne kemi mjaftueshëm naftë. Vendet që kanë nevojë për karburant duhet të shkojnë dhe ta mbrojnë vetë ngushticën”, u shpreh Trump.
Këto deklarata vijnë në kulmin e krizës energjetike globale, pasi Ngushtica e Hormuzit – përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore – është bllokuar pjesërisht nga tensionet me Iranin, duke tronditur tregjet dhe duke rritur çmimet globale .
Në një tjetër deklaratë të ashpër, Trump mbrojti operacionin ushtarak kundër Iranit, duke thënë se SHBA po arrin “fitore të shpejta dhe dërrmuese” dhe paralajmëroi për sulme edhe më të forta në javët në vijim.
“Armiqtë tanë po humbasin dhe Amerika po fiton… do t’i godasim shumë fort dhe do t’i kthejmë në epokën e gurit”, deklaroi ai.
Sipas raportimeve të fundit, Trump ka kërkuar që vendet e tjera të “marrin drejtimin” për sigurinë e Hormuzit, duke zhvendosur fokusin nga ndërhyrja amerikane drejt përgjegjësisë globale .
Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se kriza në këtë rrugë detare po rrezikon furnizimin global me energji dhe mund të përshkallëzojë më tej tensionet ndërkombëtare.

