Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, me qëllimin e arritjes së një armëpushimi në Ukrainë. Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, pas bisedës me Putin, Trump planifikon të kontaktojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në një deklaratë të bërë nga Shtëpia e Bardhë, Trump shprehu se ishte lodhur dhe zhgënjyer nga zhvillimet në Ukrainë, duke theksuar se qëllimi i tij kryesor është t’i jepet fund luftës. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, shtoi se në rast se nuk arrihet një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit, SHBA-të duhet të shpallin se “kjo luftë nuk është lufta jonë”.
Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia është e gatshme të punojë drejt një zgjidhjeje, por theksoi se procesi mund të jetë i vështirë dhe mund të zgjasë.
Kujtojmë se Trump kishte paralajmëruar bisedimet telefonike pasi negociatorët rusë dhe ukrainas u takuan për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, në Stamboll. Megjithatë, takimet në Stamboll siguruan vetëm rezultate modeste, përfshirë një marrëveshje për këmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës. Asnjë përparim nuk u arrit për ndalimin e luftimeve, ndërsa Rusia gjatë fundjavës ka kryer një nga bombardimet më të mëdha me dronë, sipas Ukrainës.
Trump, duke komentuar telefonatat, tha se “tema të telefonatave do të jenë ndalja e ‘kasaphanës’” dhe shpresoi se bisedimet do të rezultojnë në një armëpushim dhe fundin e një lufte që, sipas tij, nuk duhej të kishte nisur kurrë.
Në ndërkohë, negociatorët rusë kërkuan që Ukraina të tërheqë forcat nga rajonet e okupuara pjesërisht nga Rusia dhe paraqitën kushte të tjera që ishin vënë në pranverën e vitit 2022. Ukraina dhe aleatët perëndimorë kanë refuzuar kategorikisht këto kushte.
Që nga nisja e mandatit të tij të dytë në janar, Trump ka bërë përfundimin e luftës një prioritet kyç të politikës së tij të jashtme. Megjithatë, përpjekjet e tij janë penguar nga ofensivat e vazhdueshme të Rusisë dhe nga refuzimi i Moskës për të rënë dakord për një armëpushim 30-ditor, të cilin Ukraina e ka nënshkruar.
Pas periudhës së tensioneve fillestare me Kievin, zemërimi i Shtëpisë së Bardhë është përqendruar mbi Moskën, ndërsa tonet e deklaratave nga zyrtarët amerikanë janë ashpërsuar.