Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar nisjen e procesit për publikimin e dokumenteve qeveritare që lidhen me jetën jashtëtokësore dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se do të udhëzojë Pentagonin dhe agjenci të tjera federale të identifikojnë dhe bëjnë publike dosje që kanë të bëjnë me jetën aliene, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje.
“Bazuar në interesin e jashtëzakonshëm të treguar nga publiku, do të drejtoj Sekretarin e Luftës dhe departamentet përkatëse që të fillojnë procesin e publikimit të dosjeve qeveritare mbi këto çështje komplekse, por tejet interesante dhe të rëndësishme”, shkroi ai.
Deklarata e presidentit erdhi pak orë pasi ai akuzoi ish-presidentin Barack Obama për zbulim informacioni të klasifikuar. Reagimi lidhet me një intervistë të Obamës në podcastin e Brian Tyler Cohen, ku ai u shpreh me ironi për teoritë mbi alienët.
“Janë realë, por unë nuk i kam parë dhe nuk po mbahen në Area 51. Nuk ka një strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe ata e kanë fshehur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara,” tha Obama.
Çështja e UFO-ve dhe UAP-ve ka fituar vëmendje të shtuar vitet e fundit, veçanërisht pas raporteve të Pentagonit mbi incidente ajrore të pashpjeguara. Megjithatë, deri më tani, asnjë dokument zyrtar nuk ka konfirmuar ekzistencën e jetës jashtëtokësore.
Nëse nisma e Trump konkretizohet, pritet që agjencitë federale të nisin një proces shqyrtimi dhe deklasifikimi të materialeve, një procedurë që mund të zgjasë muaj apo edhe vite, në varësi të nivelit të klasifikimit të dokumenteve.

