Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara do të rikthejnë testet bërthamore, nëse “vendosin ta bëjnë edhe të tjerët”, duke hapur kështu një kapitull të ri tensioni në garën e armëve ndërkombëtare. Deklarata e tij, e bërë pas vizitës në Korenë e Jugut, ka shkaktuar reagime të menjëhershme brenda dhe jashtë SHBA-së, përfshirë kundërshtimin e ashpër të shtetit të Nevadës, që refuzon përdorimin e territorit të tij për prova atomike.
“Do të bëjmë teste, po, dhe vende të tjera po i bëjnë. Nëse i bëjnë ata, do t’i bëjmë edhe ne”, u shpreh Trump për gazetarët gjatë fluturimit drejt Mar-a-Lago. I pyetur nëse do të bëhej fjalë për shpërthime të vërteta, presidenti nuk dha përgjigje të qartë: “Do ta shihni,” tha ai, duke lënë hapur të gjitha interpretimet.
Sipas raportimeve të CNN, Pentagoni ka dhënë dritën jeshile për dërgimin e raketave Tomahawk në Ukrainë, në pritje të aprovimit përfundimtar nga presidenti, një lëvizje që shihet si presion ndaj Rusisë dhe Kinës për të zbutur ambiciet e tyre ushtarake në Ukrainë dhe Tajvan.
Deklaratat e Trump-it kanë ringjallur frikën për një garë të re bërthamore. Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Serghei Shoigu, reagoi duke thënë se “armët bërthamore testohen rregullisht në mënyrë matematikore, pa shpërthime reale”, por paralajmëroi se nëse SHBA nis testet fizike, Moska do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Megjithatë, ekspertët amerikanë të sigurisë bërthamore kanë paralajmëruar kundër një rikthimi të tillë. Sipas tyre, arsenali amerikan është tashmë i kontrolluar dhe funksional përmes verifikimeve jo-fizike, dhe shpërthimet reale do të ishin të panevojshme, të kushtueshme dhe politikisht të dëmshme. “Një test i tillë vetëm do të legjitimonte rivalët që të veprojnë në të njëjtën mënyrë,” thanë analistë nga Instituti për Siguri Ndërkombëtare.
Shteti i Nevadës, ku ndodhet National Security Site – zona tradicionale e testimeve bërthamore – ka dalë hapur kundër planit. Guvernatori dhe parlamenti i shtetit kanë miratuar rezolutën AJR 13, që ndalon çdo formë testimi, ndërsa deputetja Dina Titus ka paraqitur ligjin për ndalimin e përdorimit të fondeve federale për këtë qëllim. “Jo tek ne,” ka qenë reagimi i prerë nga autoritetet lokale.
Nga ana teknike, rindërtimi i infrastrukturës së testimit në Nevada do të kërkonte të paktën gjashtë muaj, ndoshta deri në një vit, si dhe mbi 100 milionë dollarë kosto, sipas ish-sekretarit të Energjisë, Ernest Moniz.
Në planin ndërkombëtar, situata është po aq e ndërlikuar. Financial Times raportoi se samiti i Budapestit – i planifikuar për javën e kaluar – ka dështuar për shkak të kërkesave të tepruara të Vladimir Putinit, të cilat përfshiheshin në një memorandum të dërguar nga Moska në Uashington. Kombinimi i këtyre tensioneve dhe furnizimi i mundshëm me Tomahawk për Kievin, shihet si një strategji presioni nga Trump për të shtyrë Putinin drejt negociatave.
Për momentin, SHBA-të nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret, por deklaratat e presidentit amerikan janë mjaftuar për të ringjallur frikën e një epoke të re bërthamore – një “luftë e ftohtë” e re, ku çdo fjalë e Uashingtonit tingëllon si një shpërthim.

