Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të dielën se disa udhëheqës evropianë do të vizitojnë SHBA-në këtë javë për të diskutuar mbi mënyrat e zgjidhjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Duke folur me gazetarët pas kthimit nga turneu i tenisit U.S. Open në New York, Trump tha se vizitat pritet të ndodhin të hënën ose të martën, por nuk dha detaje se për cilët liderë bëhet fjalë. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi gjithashtu se planifikon të bisedojë së shpejti edhe me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai u shpreh se nuk është i kënaqur me zhvillimet e fundit në fushën e betejës, duke iu referuar një sulmi masiv ajror rus që, sipas autoriteteve ukrainase, ka goditur ndërtesën kryesore qeveritare në Kiev.
Megjithatë, Trump përsëriti optimizmin e tij se konflikti do të marrë fund në një të ardhme të afërt.
“Situatën Rusi-Ukrainë, ne do ta përfundojmë,” tha ai.