Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se përjashtimi i Rusisë nga grupi G8, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ka qenë një gabim i madh. Ai fajësoi për këtë vendim paraardhësin e tij, Barack Obama, si dhe ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau.
Në një intervistë për ABC News, Trump tha se përjashtimi i Rusisë nga formati që më herët përfshinte tetë vende ishte një lëvizje e gabuar strategjike. “Ishte një gabim që nuk ndihmoi stabilitetin global. Duhet të flasim – dhe duhet të flasim tani, para se të jetë tepër vonë”, tha ai, duke iu referuar tensioneve të përshkallëzuara ndërmjet Izraelit dhe Iranit, të nisura pas sulmeve izraelite të premten.
Ai shtoi se nuk beson se Irani po e fiton këtë përballje ushtarake, ndërsa bëri thirrje për dialog urgjent lidhur me negociatat bërthamore SHBA-Iran, të cilat ishin planifikuar të vazhdonin të dielën, por u pezulluan nga ana e Iranit për shkak të sulmeve ajrore.
Takimi me Kryeministrin e Kanadasë dhe qëndrimi për G7
Trump u takua sot në Calgary me Kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, në kuadër të samitit të G7. Ai deklaroi se një marrëveshje e re doganore mes SHBA-së dhe Kanadasë është e mundshme, edhe pse pranoi se qëndrimet e tij dhe të Carney-t për këtë çështje janë të ndryshme.
Carney, nga ana tjetër, theksoi se grupi G7 nuk mund të funksionojë efektivisht pa udhëheqjen e SHBA-së, duke vlerësuar rolin kyç amerikan në çështjet globale.
Kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë, Trump pati një përplasje të ashpër me ish-kryeministrin Trudeau në samitin e G7 në Quebec (2018), duke tërhequr SHBA-në nga deklarata përfundimtare e samitit.
Bisedimet me Rusinë për ambasadat – të pezulluara
Ndërkohë, tensionet diplomatike SHBA-Rusi vazhdojnë. Ministria e Jashtme ruse njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara kanë anuluar një raund të ri bisedimesh me Rusinë për normalizimin e operacioneve të ambasadave.
Zëdhënësja Maria Zakharova tha se raundi i tretë ishte planifikuar të mbahej në Moskë, por u anulua në mënyrë të njëanshme nga Uashingtoni. “Shpresojmë që kjo pauzë të mos zgjasë shumë”, shtoi ajo.
Bisedimet e mëparshme ishin mbajtur në Stamboll, ku delegacionet e të dy vendeve diskutuan për çështje teknike që prekin funksionimin e ambasadave dhe punën e diplomatëve.
Pas përkeqësimit të marrëdhënieve për shkak të luftës në Ukrainë dhe masave reciproke diplomatike, ambasadat e SHBA-së dhe Rusisë kanë funksionuar me staf të reduktuar për vite me radhë.
Samiti i G7 – Fokus te tregtia dhe siguria
Samiti i G7 në Calgary pritet të ketë në qendër të vëmendjes çështjet tregtare, të cilat, sipas mediave amerikane, janë përparësi për shumicën e udhëheqësve pjesëmarrës. Në samit janë të ftuar gjithashtu edhe Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar – një grup që synon të koordinojë politikat ekonomike dhe të adresojë sfidat globale.