Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton një plan të ri për të ardhmen e Gazës, të quajtur GREAT Trust (akronim për Gaza Reconstitution, Economic Acceleration and Transformation), i cili synon të kthejë këtë territor në një “resort turistik të shkëlqyer” dhe një qendër për teknologjinë e lartë.
Sipas dokumentit 38-faqësh, të zbuluar nga Washington Post dhe raportuar nga La Repubblica, projekti parashikon zhvendosjen e përkohshme të rreth 2 milionë banorëve të Gazës. Banorët do të mund të zgjedhin të largohen “vullnetarisht” jashtë vendit, duke marrë në dorë 5.000 dollarë për person dhe subvencione për katër vite qiraje, ose të qëndrojnë në enklava brenda Rripit gjatë periudhës së rindërtimit.
Autorët e projektit pretendojnë se ky mekanizëm do të kursente SHBA-së rreth 23 mijë euro për person krahasuar me kostot e mbajtjes së tyre në Gaza. Plani parashikon që SHBA të marrë kontrollin administrativ të Rripit për të paktën 10 vjet, ndërsa investimi fillestar kap vlerën e 100 miliardë dollarëve, me synimin që kjo shumë të katërfishohet brenda një dekade.
“Do të bëhet një resort turistik i shkëlqyer dhe një qendër për teknologjinë dhe artizanatin high-tech,” thuhet në planin e ilustruar me teknikën e rendering-ut.
Dokumenti është zhvilluar nga të njëjtët menaxherë izraelitë që më parë hartuan projektin e diskutueshëm Gaza Humanitarian Foundation, ndërsa pjesa financiare është përgatitur nga ekspertë që kanë punuar për Boston Consulting Group.
Megjithatë, sipas Washington Post, ende nuk është e qartë nëse ky propozim është ai që do të përqafohet zyrtarisht nga Trump. Dy burime të afërta me projektin thonë se ai vjen si përpjekje për të konkretizuar vizionin e ish-presidentit, i cili shpesh ka folur publikisht për idenë e shndërrimit të Gazës në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. Burimi: La Repubblica / Washington Post