Administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi të enjten sanksione ndaj dy gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke përshkallëzuar presionin e Uashingtonit ndaj kësaj gjykate për shkak të hetimeve të saj ndaj Izraelit.
Vendimi lidhet me urdhër-arrestet e lëshuara në nëntor 2024 nga GJNP-ja ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Gaza. Administrata Trump i ka cilësuar këto veprime si të politizuara dhe kërcënuese për sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se gjyqtari Gocha Lordkipanidze nga Gjeorgjia dhe Erdenebalsuren Damdin nga Mongolia janë futur në listën e sanksioneve, me arsyetimin se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e gjykatës për të hetuar dhe ndjekur penalisht shtetas izraelitë pa pëlqimin e Izraelit. Me këtë vendim, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJNP-së të sanksionuar nga SHBA-ja shkon në nëntë, përfshirë edhe kryeprokurorin Karim Khan dhe dy zëvendësit e tij.
Sanksionet nënkuptojnë ndalim udhëtimi drejt Shteteve të Bashkuara, bllokim të çdo pasurie në territorin amerikan dhe kufizime të rënda financiare që e bëjnë pothuajse të pamundur përdorimin e kartave bankare apo kryerjen e transaksioneve ndërkombëtare.
Rubio theksoi se SHBA-ja nuk do të tolerojë, sipas tij, “abuzimin e pushtetit” nga ana e GJNP-së dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të ndërmarrë masa edhe më të ashpra, përfshirë sanksionimin e vetë institucionit, nëse gjykata nuk tërhiqet nga çështjet ndaj udhëheqësve izraelitë. Administrata Trump ka kërkuar gjithashtu mbylljen zyrtare të hetimeve të mëparshme për trupat amerikane në Afganistan dhe ndryshime në statutin e gjykatës për të parandaluar ndjekjen penale të zyrtarëve amerikanë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale reagoi ashpër duke i quajtur sanksionet “një sulm flagrant ndaj pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm” dhe paralajmëroi se këto masa rrezikojnë rendin ligjor ndërkombëtar.
Edhe Holanda, vendi pritës i GJNP-së në Hagë, dënoi veprimet e SHBA-së. Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, theksoi se gjykatat ndërkombëtare duhet të jenë të lira të ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje politike.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë anëtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ndërsa territoret palestineze janë pranuar si shtet anëtar që nga viti 2015. GJNP-ja ka 125 shtete anëtare, përfshirë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, por përjashton fuqitë e mëdha si SHBA-ja, Rusia dhe Kina.

