Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të sqarojë nëse administrata e tij do të publikojë pamjet e sulmit të dytë ajror ndaj një anijeje në Detin e Karaibeve, një operacion që ka shkaktuar reagime të forta në Kongres dhe kërkesë zyrtare për transparencë.
Sipas Trump, dy personat që mbijetuan goditjen e parë “po përpiqeshin ta vinin anijen sërish në lëvizje”, duke pretenduar se ajo ishte e mbushur me drogë. Administrata thotë se ky ishte motivi për sulmin e dytë, edhe pse ligjvënësit kanë kërkuar prova.
Kur u pyet nga gazetarët për publikimin e videos, Trump u tërhoq dhe madje i sulmoi verbalisht disa prej tyre, duke mohuar se kishte premtuar transparencë një javë më parë. “Çfarëdo që Pete Hegseth dëshiron të bëjë është në rregull për mua,” tha ai, duke ia hedhur përgjegjësinë drejtuesit të operacioneve ushtarake.
Por deklaratat e tij bien ndesh me fjalët e dhëna më herët, kur Trump pati thënë: “Çfarëdo që të kenë, me siguri do ta publikonim.”
Fushatë sulmesh që ka shkaktuar 87 të vrarë
Operacioni i 2 shtatorit ishte pjesë e një fushate mujore të SHBA-së kundër anijeve që, sipas administratës Trump, transportojnë drogë për kartele të Amerikës Latine, përfshirë ato që lidhen me regjimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.
Në total, 22 sulme të njohura kanë lënë të paktën 87 të vrarë. Megjithë kundërshtimin bipartizan në Kongres, Trump e ka mbrojtur agresivisht këtë qasje, duke pretenduar se SHBA është në “konflikt të armatosur me narko-terroristët”.
Kongresi kërkon videon – kërcënon Pentagonin
Ligjvënësit e të dy partive po kërkojnë që Pentagoni të dorëzojë “videon e pamontuar” të sulmeve. Nëse kjo nuk ndodh, ata kanë paralajmëruar se do të bllokojnë 1/4 e buxhetit të udhëtimeve të Pete Hegseth. Kjo dispozitë tashmë është futur në projektligjin e mbrojtjes prej 900 miliardë dollarësh që pritet të votohet këtë javë.
Hegseth tha të shtunën se videoja po shqyrtohet, por nuk premtoi publikim. Pentagoni nuk ka komentuar as mbi procesin e shqyrtimit, as mbi pretendimet e Trump për veprimet e dy të mbijetuarve para sulmit të dytë.
Administrata vazhdon të mbështesë linjën e saj se operacionet janë të justifikuara, ndërsa presioni politik në Washington sa vjen e rritet.

