Presidenti amerikan Donald Trump u prit me ovacione në parlamentin izraelit (Knesset), ku mbajti një fjalim të fuqishëm, të mbushur me mesazhe shprese dhe uniteti, në prag të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Në fjalën e tij, Trump e cilësoi ditën si “një ditë gëzimi të thellë, shprese të lartë dhe falënderimi ndaj Zotit të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit”. Ai theksoi se “pas shumë vitesh lufte të pandërprerë dhe rreziku të vazhdueshëm, sot qielli është i qetë, armët janë heshtur dhe sirenat nuk bien më”.
“Ky nuk është vetëm fundi i një lufte, por fundi i një epoke terrorizmi dhe vdekjeje – dhe fillimi i një epoke të re besimi, shprese dhe të Zotit,” tha Trump, duke e quajtur këtë moment “agimin historik të një Lindjeje të Mesme të re”.
Fjalimi i tij vjen pas lajmit për lirimin e 20 pengjeve nga Hamasi, ndërsa shtatë prej tyre tashmë janë dorëzuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK). Pengjet e liruara po transferohen tek forcat izraelite brenda Rripit të Gazës, në kuadër të një armëpushimi 72-orësh të ndërmjetësuar nga SHBA.
Në këmbim, Izraeli pritet të lirojë rreth 2,000 të burgosur palestinezë, përfshirë 250 persona të dënuar me burgim të përjetshëm.
Lajmi për lirimin e pengjeve ka shkaktuar entuziazëm në Izrael, ku mijëra qytetarë u mblodhën në “Sheshin e Pengjeve” në Tel Aviv për të festuar mes lotësh, flamujsh dhe duartrokitjesh.
Trump përfundoi fjalimin me një mesazh të qartë: “Ky është fillimi i unitetit dhe harmonisë së qëndrueshme për Izraelin dhe të gjitha kombet e rajonit. Ky është agimi i një epoke të re – një Lindje e Mesme që do të jetë vërtet e mrekullueshme.”