Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se mund të jetë duke punuar së bashku me Rusinë dhe Kinën për një plan të mundshëm çarmatimi bërthamor, megjithëse nuk ka dhënë asnjë detaj konkret për këtë nismë.
Gjatë një fjalimi në një forum biznesi në Majami, Trump deklaroi se SHBA mbetet fuqia numër një në botë në fushën bërthamore, por theksoi se ky epërim nuk është arsye krenarie.
“Kemi rishikuar arsenalin tonë bërthamor. Jemi fuqia numër një në botë në këtë fushë, edhe pse e urrej ta pranoj, sepse është diçka e tmerrshme,” – tha Trump.
Ai shtoi se Rusia renditet e dyta, ndërsa Kina e treta, por paralajmëroi se Pekini mund të arrijë nivelin e SHBA-ve brenda katër ose pesë viteve të ardhshme.
“Mund të jemi duke punuar mbi një plan për çarmatim bërthamor, të treja vendet. Do të shohim nëse do të ketë rezultat,” – përfundoi presidenti amerikan, pa ofruar detaje të mëtejshme mbi iniciativën.
Ky është sinjali më i fundit nga Trump që sugjeron një kthesë të mundshme drejt dialogut ndërkombëtar për sigurinë bërthamore, në një kohë kur marrëdhëniet mes tri fuqive botërore janë në tension të lartë.

