Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se shtetet anëtare të NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën e tyre ajrore.
Komentet e tij erdhën pasi tre avionë luftarakë rusë të tipit MiG-31 hynë pa leje në hapësirën ajrore të Estonisë të premten, duke ngritur nivelin e alarmit në Evropë.
Duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, gjatë një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Trump u pyet nga gazetarët nëse vendet që raportojnë shkelje duhet të rrëzojnë avionët. Ai u përgjigj shkurt: “Po, po.”
Megjithatë, ish-presidenti amerikan nuk dha hollësi për ndonjë reagim konkret të NATO-s dhe nuk u zotua për përfshirjen e SHBA-së në veprime të tilla, duke shtuar se gjithçka “varet nga rrethanat”, por duke theksuar se “ne jemi shumë të fortë ndaj NATO-s”.
Ndërkohë, tensionet u rritën edhe më tej të hënën në mbrëmje, pasi aeroportet e Kopenhagenit dhe Oslos u mbyllën përkohësisht për shkak të dronëve të dyshimtë pranë tyre. Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se përfshirja ruse nuk mund të përjashtohet, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ukraina mund të rifitojë territorin, sipas Trump
Në vijim të fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme, Trump shprehu respekt për rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus. Ai madje shkroi në rrjetin e tij social, Truth Social, se pas shqyrtimit të situatës ushtarake dhe ekonomike, beson që Ukraina është në gjendje të rifitojë të gjithë territorin e saj, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Mendoj se Ukraina është në një pozitë të fortë për ta rifituar të gjithë vendin në formën e saj origjinale”, u shpreh Trump.