Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka zgjedhur ish-kryeministrin britanik Tony Blair për të udhëhequr një organ kalimtar që do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Lajmi u bë i ditur nga gazeta italiane La Repubblica, duke iu referuar burimeve të medias izraelite Ynet.
Blair, i njohur për rolin e tij në proceset ndërkombëtare të paqes dhe për mbështetjen ndaj çlirimit të Kosovës, pritet të ketë mandat për të mbledhur palët e interesuara rajonale dhe ndërkombëtare rreth një plani të ri administrativ për Gazën.
Sipas Times of Israel, presidenti Trump i ka dhënë Blair-it autorizimin për të ndërmarrë këtë mision, duke e pozicionuar atë në qendër të negociatave pasluftës.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, kanë mbërritur në hotelin e Nju Jorkut ku po qëndron kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Ky i fundit pritet të mbajë një fjalim nesër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.