Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjeruar ndalimin e udhëtimit duke shtuar edhe gjashtë vende të reja në listën e shteteve, qytetarëve të të cilave u ndalohet hyrja në SHBA. Në mesin e tyre janë Palestina dhe Siria.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se ndalimi i ri përfshin Palestinën, Burkina Fason, Malin, Nigerinë, Sudanin e Jugut dhe Sirinë, duke iu shtuar 12 vendeve të tjera që ishin përfshirë në listë që nga muaji qershor. Ky vendim vjen në kuadër të ashpërsimit të politikave të imigracionit nga administrata Trump.
Në dekretin presidencial, Palestina nuk përmendet si shtet apo territor i pushtuar, pasi SHBA nuk e njeh zyrtarisht. Në vend të kësaj, dokumenti i referohet “Dokumenteve të Autoritetit Palestinez” dhe përshkruan palestinezët si “individë që përpiqen të udhëtojnë me dokumente udhëtimi të lëshuara ose të miratuara nga Autoriteti Palestinez”.
Vendimi pason deklaratën e Trump disa javë më parë për një “pauzë të përhershme” të migracionit nga ajo që ai e quajti “vendet e Botës së Tretë”, pas një incidenti të armatosur në Uashington ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, arsyeja kryesore e ndalimit lidhet me shqetësimet e sigurisë. “Disa grupe të shpallura terroriste nga SHBA-ja veprojnë në mënyrë aktive në Bregun Perëndimor ose në Rripin e Gazës dhe kanë vrarë qytetarë amerikanë. Po ashtu, lufta e fundit në këto zona ka kompromentuar aftësitë e verifikimit dhe shqyrtimit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky vendim pritet të shkaktojë reagime të forta ndërkombëtare, veçanërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe vendet e prekura nga ndalimi i ri i udhëtimit.

