Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se Rusia ka ulur kërkesat e saj territoriale në Ukrainë dhe është e gatshme të ndërpresë luftimet nëse i jepet kontrolli i plotë mbi rajonin e Donbasit.
Në një intervistë për televizionin turk TGRT Haber, Fidan tha se ekziston një marrëveshje paraprake që parashikon kthimin e 25-30 përqind të territorit të Donetskut dhe ruajtjen e vijës së kontaktit në Zaporizhia dhe Kherson. Ai nuk specifikoi se kush e ka arritur këtë marrëveshje paraprake.
Megjithatë, Ukraina ka refuzuar në mënyrë të përsëritur çdo lëshim territorial ndaj Rusisë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka theksuar më herët se Kievi synon rikthimin e territoreve të pushtuara përmes diplomacisë, e jo vetëm përmes betejës ushtarake.
Fidan gjithashtu pranoi vështirësitë që do të kishte Ukraina nëse do të detyrohej të hiqte dorë nga pjesë të territoreve të saj të fortifikuara.
“Sapo të lirohet ky territor, zona e mbetur bëhet më e vështirë për t’u mbrojtur strategjikisht. Por duke marrë parasysh mekanizmat dhe garancitë e sigurisë, duhet parë si do të zhvillohet kjo çështje,” – deklaroi shefi i diplomacisë turke.