Udhëheqësit evropianë dhe të Lindjes së Mesme kanë mirëpritur propozimin e SHBA-së për një plan paqeje në Gazë, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Hamasin për pranimin e tij.
Plani, i dakordësuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, parashikon ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve, lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi dhe të mbetjeve të mbi dy duzinave pengjesh të vdekur, në këmbim të lirimit të qindra banorëve të ndaluar të Gazës. Zyrtarëve të Hamasit u është dorëzuar plani me 20 pika, tha një burim palestinez për BBC-në.
Plani gjithashtu përcakton që Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës, ndërsa lë derën hapur për një shtet përfundimtar palestinez – megjithëse Netanyahu e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se Izraeli do ta përfundojë punën nëse Hamasi nuk e pranon propozimin.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump e quajti planin “një ditë historike për paqen”, ndërsa shtoi se SHBA-ja do të mbështesë Izraelin për të neutralizuar kërcënimin e Hamasit në rast refuzimi.
Reagime pozitive nga udhëheqësit ndërkombëtarë
Autoriteti Palestinez (AP) e cilësoi iniciativën amerikane si “të sinqertë dhe të vendosur”, duke rinovuar angazhimin për bashkëpunim me SHBA-të dhe partnerët rajonalë për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e pengjeve.
Ministrat e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë, Turqisë, Indonezisë dhe Pakistanit e mirëpritën planin dhe u angazhuan për zbatimin e tij, duke theksuar rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete që integron Gazën me Bregun Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e quajti “një mundësi të vërtetë për paqe”, ndërsa ish-kryeministri britanik Tony Blair e përshkroi planin si “të guximshëm dhe inteligjent”. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu e mirëpritën dhe ofruan mbështetje për zbatimin e marrëveshjes.
Detajet e planit të paqes
Plani parashikon që një komitet teknokratik palestinez dhe apolitik të qeverisë përkohësisht Gazën, me mbikëqyrje nga një organ ndërkombëtar i quajtur Bordi i Paqes, i cili do të drejtohet nga Trump dhe përfshin udhëheqës ndërkombëtarë, përfshirë Blair.
Përveç ndërprerjes së menjëhershme të luftimeve, plani fokusohet në një program zhvillimi ekonomik për rindërtimin e Gazës, duke garantuar që Izraeli nuk do ta pushtojë ose aneksojë territorin, dhe duke u dhënë banorëve mundësinë të qëndrojnë dhe të rindërtojnë jetën.
Situata humanitare dhe konflikti aktual
Fushata e fundit izraelite në Gazë, si përgjigje e sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ka shkaktuar mbi 66,000 viktima sipas autoriteteve të drejtuara nga Hamasi, duke përfshirë një gjendje të rënduar humanitare në qytetin e Gazës. Një raport i OKB-së ka konstatuar shkelje të të drejtave dhe gjenocid në territor, të cilin Izraeli e mohon.
Një burim palestinez i tha BBC-së se zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit kanë dorëzuar planin në Doha për shqyrtim nga Hamasit, i cili theksoi gatishmërinë për të studiuar çdo marrëveshje që siguron interesat palestineze dhe një tërheqje të plotë izraelite.
Plani vjen pas përplasjeve diplomatike të Izraelit në OKB dhe pas tensioneve të fundit mes Netanyahu dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Katarin.