UEFA ka refuzuar të miratojë për momentin propozimet e Spanjës dhe Italisë për zhvillimin e ndeshjeve të kampionateve kombëtare jashtë Evropës, duke shpërthyer një debat të gjerë mes federatave, tifozëve dhe institucioneve të BE-së.
Pas një takimi të komitetit ekzekutiv të enjten, organi drejtues i futbollit evropian tha se çështja është e rëndësishme dhe në rritje, por vendimi përfundimtar do të merret vetëm pas konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe tifozët.
Kontroversia nisi pas planeve për zhvillimin e një ndeshjeje të La Ligës në Miami dhe një ndeshjeje të Serie A në Perth, Australi. Komisioni Evropian ka reaguar ashpër ndaj këtyre ideve, ndërsa Komisioneri i Sportit i BE-së, Glenn Micallef, i ka quajtur “thellësisht zhgënjyese” dhe ka paralajmëruar për rrezikun e “deterritorializimit të futbollit evropian”.
Kundërshtime të forta kanë ardhur edhe nga grupi i tifozëve “Football Supporters Europe”, i cili i ka kërkuar Komisionit Evropian të ndërhyjë kundër tendencave të tilla. Nga ana tjetër, shefi i futbollit spanjoll Javier Tebas e ka minimizuar reagimin, duke theksuar se “bëhet fjalë për vetëm 1 ndeshje nga 380”.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, konfirmoi gjithashtu qëndrimin kundërshtues, duke deklaruar se “ekipet evropiane duhet të luajnë në Evropë”, ndonëse pranoi se mundësitë ligjore të UEFA-s për të bllokuar këto plane janë të kufizuara.