Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se cilësia e ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është brenda standardeve të lejuara dhe i sigurt për konsum.
Sipas analizave laboratorike të realizuara gjatë tre ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe Laboratorin analitik – ICPMS, është vërejtur një ulje e dukshme e vlerave të manganit. Rezultatet tregojnë se përqendrimet më të larta të manganit kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l, duke qenë plotësisht brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
IKShPK theksoi se, në përputhje me këtë udhëzim administrativ, uji i zonës PR03 është i sigurt për pije.
Instituti garanton se do të vazhdojë monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit në bashkëpunim me institucionet përkatëse, duke ofruar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët.