Autoritetet ukrainase kanë falënderuar publikisht Elon Musk dhe kompaninë e tij SpaceX, pasi kjo e fundit ka ndërmarrë masa për të penguar përdorimin e paautorizuar të sistemit satelitor Starlink nga Rusia për drejtimin e dronëve luftarakë mbi territorin e Ukrainës.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes dhe Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov, njoftoi se masat e para tashmë kanë dhënë rezultate konkrete.
“Masat e para tashmë po funksionojnë. Faleminderit që jeni në krahun tonë. Ju jeni një mbështetës i vërtetë i lirisë dhe një mik i popullit ukrainas”, shkroi Fedorov në platformën X, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Musk-ut.
Bashkëpunim i ngushtë Ukrainë–SpaceX
Reagimi i ministrit erdhi pas një deklarate të Elon Musk, i cili konfirmoi se SpaceX ka ndërhyrë për të ndaluar përdorimin e Starlink nga Rusia dhe kërkoi nga autoritetet ukrainase të raportojnë nëse nevojiten masa shtesë.
Fedorov bëri të ditur se Ukraina po bashkëpunon “shumë ngushtë” me SpaceX dhe se në ditët në vijim do të zbatohen hapa të rinj teknikë për forcimin e kontrollit.
Sipas tij, do të krijohet një sistem i detyrueshëm regjistrimi dhe verifikimi për të gjithë terminalët Starlink që operojnë në territorin e Ukrainës.
“Përdoruesit do të marrin udhëzime të detajuara për regjistrim dhe verifikim. Terminalët që nuk verifikohen, do të çaktivizohen”, theksoi Fedorov.
Dyshime për përdorim rus të Starlink
Më 29 janar, autoritetet ukrainase njoftuan se kishin kontaktuar SpaceX pas zbulimit të dronëve rusë që përdornin lidhje Starlink mbi qytete ukrainase. Sipas Institute for the Study of War, që nga fundi i dhjetorit Rusia ka integruar Starlink në dronët sulmues, duke rritur rrezen e veprimit të tyre deri në 500 kilometra.
Shërbimet ukrainase të inteligjencës bëjnë të ditur se ushtria ruse ka siguruar terminalët përmes importeve paralele dhe kanaleve jozyrtare, dhe jo përmes shitjeve direkte nga SpaceX.
Starlink jetik për Ukrainën
Autoritetet në Kiev theksojnë se një ndërprerje e përgjithshme e Starlink në Ukrainë do të ishte problematike, pasi sistemi përdoret gjerësisht nga ushtria ukrainase për komunikime, koordinim dhe operacione në terren.
Fedorov rikujtoi se vendimi i Elon Musk për të aktivizuar urgjentisht Starlink dhe për të dërguar pajisjet e para në Ukrainë në ditët e para të pushtimit rus ishte vendimtar për qëndrueshmërinë e vendit dhe funksionimin e infrastrukturës kritike.

