Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer një tjetër sulm ndaj një anijeje të dyshuar për transport të drogës nga Venezuela, duke vrarë tre persona. Lajmin e bëri publik presidenti Donald Trump, i cili paralajmëroi se veprimet kundër karteleve mund të shtrihen edhe në tokë.
Trump tha se sulmi ndodhi në ujërat ndërkombëtare, ku sipas tij, “narkoterroristë të konfirmuar po transportonin narkotikë të paligjshëm drejt SHBA-së”. Presidenti theksoi se provat janë të qarta, duke përmendur “qese të mëdha me kokainë dhe fentanil të shpërndara në oqean”.
Ky është sulmi i dytë i këtij lloji brenda dy javësh. Në sulmin e parë, të paktën 11 persona u vranë. Sipas Trump, pas operacioneve të para, është vërejtur një ulje e lëvizjeve të anijeve në Karaibe, megjithatë kartelet vazhdojnë trafikun nga toka.
Maduro reagon ashpër
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, e akuzoi Uashingtonin për përdorimin e akuzave për trafik droge si pretekst për ndërhyrje ushtarake dhe “ndryshim regjimi”. Ai deklaroi se anija e sulmuar ishte një mjet peshkimi, ndërsa veprimin e SHBA-së e cilësoi “provokim për luftë në Karaibe”.
Debat mbi ligjshmërinë e operacioneve
Në vetë SHBA-të, ligjshmëria e përdorimit të ushtrisë për operacione të tilla është vënë në dyshim. Senatorë demokratë dhe disa republikanë e shohin veprimin si tejkalim të autoritetit ekzekutiv, duke kërkuar që Kongresi të ketë fjalën e fundit.
Senatori Adam Schiff tha se po përgatit një rezolutë për kufizimin e fuqive të luftës së presidentit, duke paralajmëruar se sulme të tilla “mund të rrisin rrezikun për trupat amerikane dhe të çojnë në një konflikt të panevojshëm me Venezuelën”.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International, e cilësuan veprimin si “ekzekutim jashtëgjyqësor” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Shtëpia e Bardhë mbron vendimin
Administrata Trump e ka justifikuar veprimin si vetëmbrojtje, duke e konsideruar grupin kriminal Tren de Aragua – i përcaktuar nga SHBA si organizatë terroriste – si kërcënim të menjëhershëm. Megjithatë, presidenti nuk konfirmoi nëse ky grup ishte objektivi i sulmit të fundit.