Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fushë Kosovën të enjten në mëngjes, ku një vajzë 23-vjeçare ka përfunduar në QKUK me plagë të thellë të shkaktuar nga mjet i mprehtë. Sinjali mëson ekskluzivisht se rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa i dyshuari – i fejuari i saj, E.G., 29 vjeç – është arrestuar.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 07:45 në rrugën “Enver Maloku”, kur është kërkuar emergjentisht një ambulancë. Policia dhe ekipi mjekësor, pasi kanë hyrë në banesë, kanë gjetur viktimën D.T. me plagë të rëndë. Fillimisht, çifti ka pretenduar se lëndimi ka ndodhur aksidentalisht nga një gotë e thyer.
Vajza është dërguar fillimisht në QKMF dhe më pas në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar se plagët nuk përputheshin me prerje nga gota, por me goditje nga mjet i mprehtë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Ky zbulim ka ngritur dyshime serioze mbi versionin fillestar të deklaruar.
Me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, hetuesit dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit është sekuestruar një thikë, që dyshohet të jetë arma e përdorur.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka ndryshuar deklarimin, duke pretenduar se viktima e ka lënduar veten me thikë, por që ai nuk e kishte raportuar “për të mos e marrë vesh familja e saj”.
Prokurorja ka urdhëruar sekuestrimin e provave, ekzaminimin e detajuar të vendit të ngjarjes dhe përfshirjen e Hetimeve Rajonale për zbardhjen e plotë të rastit.
Rasti është iniciuar zyrtarisht si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

