Kosova do të përballet sot me një valë të fuqishme të të nxehtit, të shoqëruar me mot kryesisht me diell dhe temperatura ekstreme. Sipas parashikimeve meteorologjike, masat ajrore shumë të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore do të sjellin rritje të ndjeshme të temperaturave në gjithë territorin e vendit.
Temperatura maksimale gjatë ditës së sotme pritet të arrijë deri në 40°C, duke e shënuar këtë si një nga ditët më të nxehta të këtij sezoni veror.
Kushtet ekstreme klimatike nuk do të kufizohen vetëm në Kosovë. I njëjti mot pritet të mbizotërojë edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, ku temperaturat do të kapërcejnë pragun e 40°C, veçanërisht në zonat më të ulëta dhe më të ekspozuara të rajonit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia.